May 27, 2022
Dëshironi të jeni një mentor i zoti? Ja 3 hapa që duhet të ndiqni
Kompanitë lulëzojnë kur kolegët ndajnë njohuritë dhe përvojat me njëri tjetrin.
Kompanitë lulëzojnë kur kolegët ndajnë njohuritë dhe përvojat me njëri tjetrin. Ndaj është mirë të jeni pranë njerëzve nga të cilët mund të merrni përvojë dhe njohuri.  Kjo nuk do të thotë të kërkoni ndihmë nga të tjerët, por të jeni  në dijeni për punën dhe aftësitë e kolegëve tuaj.  Gjithashtu do duhet që ashtu sic merrni nga të tjerët, të jepni dhe ju nga vetja.
Nëse do keni rastin të mentoroni dikë, më poshtë janë renditur 3 metoda të cilat përshkruajnë një ndërveprim produktiv.
1. VËZHGONI DHE PYESNI
Është e pamundur të udhëzohet dikush nëse nuk e njihni sadopak karakterin e tij. Në fund të fundit, mentorimi është një proces ku ju ndihmoni dikë të arrijë qëllimet e tij. Dhe për ta realizuar këtë ju duhet të dini dy gjëra kryesore për këtë person: Cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të tyre dhe çfarë shpresojnë të arrijnë në të ardhmen?
Kjo sigurisht kërkon dhe angazhimin tuaj. Gjatë kohës që punoni bashkë mund të vëzhgoni se si personi që do mentoroni përshtatet në mjedisin e punës. Ju mund të krijoni mundësinë për ta testuar përshtatjen e tij në takime të ndryshme, të vëzhgoni sjelljen e tyre të punës dhe se si ata prezantohen para të tjerëve.  Mund të mësoni shumë për ta nëse jeni një vëzhgues i duruar.
Më pas, ju mund të dini se si ti adresoni pyetjet e duhura. Zbuloni se cilat janë qëllimet e tyre në jetë, dhe se çfarë eksperiencash kanë patur, qoftë ato suksese apo dështime. Pyetjet mund të vërtiten rreth asaj çfarë ju keni evidentuar dhe kështu mund të kuptoni më shumë se si personi  arsyeton. Përgjigjet e tyre mbi pyetjet do ju japin informacionin e duhur për të dhënë këshillat e duhura.
2. MENTORONI, MOS TREGONI
Ekziston mundësia që mentoruesi të bjerë në grackën e të folurit pa pushim për veten e tij i nxitur nga dëshira për të ndarë mençurinë, përvojën dhe njohurinë e tij me një koleg. Sigurisht, ju i dini përgjigjet për të gjitha pyetjet, por kur kolegët e rinj bëjnë vazhdimisht pyetje, ju mund t’u përgjigjeni atyre pyetjeve – dhe të vazhdoni t’u përgjigjeni çdo ditë, ose, mund t’ua ktheni pyetjen dhe t’i mësoni se si të vlerësojnë në mënyrë kritike dhe të mësojnë përgjigjet vetë. Është njësoj si me trajnerët e një skuadre futbolli. Ata kanë dy qëllime kryesore: të ndihmojnë lojtarët të përmirësojnë aftësitë e tyre dhe të ofrojnë strategji për fitore.
Ndaj kur ju i mësoni dikujt një aftësi, nuk mjafton vetëm ta përshkruani atë. Që të influenconi si duhet kolegun tuaj në ndërtimin e aftësive të reja, ju duhet tu jepni atyre shansin për ta praktikuar atë që mësojnë, në vend që vec të dëgjojnë këshillat tuaja. Nëse jeni duke udhëzuar dikë në shitje produktesh, atëherë sugjeroni disa strategji dhe lëreni kolegun tuaj të praktikohet krah jush. Jepuni atyre një shans për të bërë gabime në një mjedis të sigurt përpara se të duhet ta bëjnë atë realisht.
3. JEPNI KËSHILLËN E DUHUR
Gjatë karrierës, do ju ndodhë shpesh që kolegët e rinj të kërkojnë këshilla nga ju. Por, ka  lloje të ndryshme këshillash. Ju mund të dëgjoni një problem me të cilin po përballen dhe të sugjeroni se çfarë do të bënit ju vetë në atë situatë. Ju mund të këshilloni pro ose kundër një opsioni të caktuar. Ju mund të rekomandoni se si mund të merren vendime në situata të caktuara. Gjithashtu, mund të jepni informacione  që e bëjnë të mentoruarin të shoh perspektiva dhe këndvështrime ndryshe nga c’mund t’i ketë menduar.
Studimet sugjerojnë se këshilla më e mirë që mund të jepni është  vetë  informacioni. Një mënyrë e shkëlqyer për të ofruar ndihmë është të ndani sugjerime rreth llojeve të informacionit që i kolegu juaj nuk i di tashmë. Kjo lloj këshille zgjeron horizontin e dikujt dhe i mundëson të marrin në konsideratë faktorët për të cilët nuk do ti kishin ditur ndryshe.
Burimi: Art Markman, “Want to be a great mentor? Make sure you’re doing these 3 things”, 05.03.22