November 15, 2023
Çfarë duhet të keni parasysh kur shihni një përshkrim pune
Përshkrimi i punës mbart më shumë informacion seç ju mund të mendoni. Edhe pse titulli, detyrat dhe paga mund t’ju tërheqin më shumë vëmendjen, sdo të thotë të anashkaloni të dhënat e tjera.
Përshkrimi i punës mbart më shumë informacion seç ju mund të mendoni. Edhe pse titulli, detyrat dhe paga mund t’ju tërheqin më shumë vëmendjen, sdo të thotë të anashkaloni të dhënat e tjera. Idealja do të ishte të inspektoni me vëmendje përshkrimin e punës, pasi mund të t’ju ndihmojë të kuptoni kulturën e punës në kompaninë përkatëse, stilin e menaxhimit, rolin e pozicionit etj.
Si aplikant, ju takon të jeni të kujdesshëm ndaj detajeve, në mënyrë që në rastin e një interviste, të jeni sa më të qartë për llojin e pozicionit për të cilin bëhet fjalë dhe të drejtoni pyetje sa më konkrete në rast se keni një paqartësi.
Më poshtë do të njiheni me 3 elementë kryesorë që duhet të keni kujdes në përshkrimet e punës.
1. Jini vigjilent ndaj aspekteve negative në përshkrimin e punës
Kur shihni një thirrje për një pozicion që ju pëlqen, mund të rrëmbeheni nga entuziazmi dhe të mos i vëreni aspektet negative që mund të identifikoni që nga përshkrimi i punës. Edhe pse pozicioni mund të përshtatet me përvojën tuaj, në botën profesionale, është e rëndësishme të mbani një qëndrim objektiv dhe të jeni të vigjilent ndaj ‘’deklaratave’’ të cilat mund të afektojnë mirëqenien tuaj në punë. Fjali të tilla si ‘’ne këtu punojmë fort dhe jemi një familje e madhe’’, mund të konsiderohen si sinjale të cilat nënkuptojnë që nga ju do të pritet të punoni jashtë orarit, ose t’i përgjigjeni emaileve edhe gjatë ditëve pushim. Kjo jo domosdoshmërisht mund të jetë e vërtetë, gjithsesi është mirë të jeni të vetëdijshëm dhe të mos i eliminoni totalisht si opsione.
2. Sigurohuni të bëni kërkimet tuaja bazuar në titullin e pozicionit të punës
Titujt e pozicioneve të punës janë të rëndësishëm për të kuptuar detyrat, përgjegjësitë por dhe pagesën në disa raste. Një pozicion ku titulli është specifikuar apo përshkruar saktë, ju lejon të bëni kërkime, qoftë në faqen e kompanisë apo në Linkedin, dhe të mësoni pak më shumë rreth kualifikimeve, përgjegjësive dhe përvojave që kërkohen për atë pozicion nëpërmjet profileve të personave që kanë punuar më parë në pozicione të ngjashme. Gjithashtu, titulli ka shumë rëndësi për sa i përket karrierës tuaj, për këtë arsye, një titull pozicioni i mirëformuluar është gjithmonë një bonus për CV-në tuaj.
3. Fokusohuni tek aftësitë më të domosdoshme për pozicionin e punës
Është shumë e lehtë të humbasësh në listën e kërkesave dhe pritshmërive të një pozicioni pune por ju përqëndrohuni në aftësitë më thelbësore që kërkohen për të realizuar me sukses rolin përkatës. Mos u demotivoni nëse nuk plotësoni çdo kërkesë që liston përshkrimi i punës. Nuk pritet nga ju të jeni kandidati ideal, prandaj vlerësoni kriteret sipas rëndësisë. Nëse e bëni këtë, ju do të dini cilat prej aftësive do të theksoni më shumë në CV-në tuaj përpara se ta dërgoni.
Paçi fat në aplikimin e rradhës!