August 29, 2023

Ambicia dhe durimi në fazat e hershme të karrierës për zhvillim të shpejtë profesional

Nuk ka diskutim se ambicia, është forca lëvizëse që na shtyn drejt përsosmërisë dhe arritjeve. Është ambicia…

toparticle-banner

 

Nga Katia Hanxhari
__________________

 

Nuk ka diskutim se ambicia, është forca lëvizëse që na shtyn drejt përsosmërisë dhe arritjeve. Është ambicia ajo çka na shtyn të shkojmë përtej kufijve të zakonshëm që i vendosim vetes çdo ditë, shpeshherë edhe pa e kuptuar.

Një profesionist i ri, ka të ngjarë të jetë shumë më i etur për të arritur qëllimet dhe pritshmëritë e tij në një pozicion të ri pune,  me dëshirën e madhe për të lënë gjurmë. Ata janë të prirur të mendojnë vazhdimisht rreth qëllimeve afatgjata dhe objektivave që kanë vizualizuar rreth të ardhmes së tyre profesionale, gjë e cila shpeshherë çon në një mungesë realizmi.

Është thelbësore të kuptohet se, pavarësisht se sa motivues i fuqishëm është ambicia, çdo gjë vjen me kohë, përpjekje dhe durim.  Ndaj dhe arritja e një balance midis aspiratave ambicioze të karrierës dhe durimit  për ti arritur këto aspirata është faktor elementar për një profesionist të ri. Arritja e kësaj balance është një aftësi e cila mund të ndikojë shumë pozitivisht në suksesin profesional, kështu, arti i menaxhimit të ambicies dhe durimit është një karakteristikë që duhet përvetësuar nga kushdo.

 

Këto janë disa këshilla dhe sugjerime për të pasur parasysh, për të ndërtuar balanca më të mira dhe për të pasur kështu, sukses profesional në fillimet e karrierës tuaj.

S.M.A.R.T. është një akronim, i cili përdoret për të kujtuar individë në fusha të ndryshme rreth faktorëve më të rëndësishëm mbi të cilët duhen vendosur qëllimet dhe objektivat që supozohet të japin rezultate të mira. Përkthyer nga anglishtja, S.M.A.R.T tregon se kur ju vendosni qëllimet tuaja të karrierës, sigurohuni që ato të jenë specifike, të matshme, të arritshme, relevante dhe të bazuara në kohë. Kjo siguron që ambiciet tuaja të jenë të bazuara në realitet dhe të mund të ndahen në hapa të menaxhueshëm dhe përballueshëm.

 

Vlerësoni procesin. Në vend që të fokusoheni vetëm në rezultatin përfundimtar, përqafoni procesin e rritjes dhe zhvillimit. Çdo sfidë, pengesë dhe fitore e vogël kontribuon në suksesin tuaj afatgjatë.

 

Jini mirënjohës. Kultivoni ndjesinë e mirënjohjes ndaj vendit ku jeni sot dhe progresit që bëni çdo ditë, sado i vogël apo i madh qoftë ai,. Kjo ju ndihmon të ndiheni mirë me pozicionin aktual.

 

Festoni momentet kryesore. Jini të vetëdijshëm për arritjet tuaja  dhe festoni për to gjatë rrugës, pavarësisht sa të vogla mund të duken ato. Çdo moment historik është një dëshmi e përkushtimit dhe përparimit tuaj në punës.

 

Mësoni të përshtateni. Karriera juaj mund të evolojë në mënyra të papritura dhe momente të pa parashikueshme. Jini mendje hapur ndaj mundësive që ju vijnë, edhe nëse ato devijojnë nga plani juaj origjinal. Këto devijime mund të çojnë në përvoja dhe njohuri edhe më të vlefshme seç mund të keni imagjinuar.

 

Kërkoni mentorim. Lidhuni me profesionistë me përvojë të cilët mund të ofrojnë udhëzime dhe të ndajnë përvojat e tyre. Njohuritë dhe eksperiencat e tyre mund t’ju vijnë në ndihmë përgjatë rrugëtimit tuaj dhe ti përdorni ato në benefitin tuaj.

 

Praktikoni kujdesin për veten. Balancimi i ambicies dhe durimit kërkon të jeni jo vetëm të vetëdijshëm, por edhe të keni kujdes maksimal për veten. Sigurohuni që po kujdeseni për mirëqenien tuaj fizike dhe mendore për të ruajtur qëndrueshmërinë e nevojshme përgjatë rrugëtimit tuaj në punë.

 

Durimi është virtyt, dhe kjo për shumë arsye. Në botën me ritme të shpejta në të cilën jetojmë, është shumë e thjeshtë që shpeshherë të nënvlerësojmë kohën dhe fuqinë që ajo mbart. Për këtë arsye, edhe pse ambicia mund të na shtyjë të jemi gjatë gjithë kohës në kërkim dhe zbatim të objektivave, duhet të pranojmë se suksesi i qëndrueshëm ndërtohet mbi themele të përpjekjeve të vazhdueshme dhe përparimit gradual.

 

August 29, 2023

Artikujt më të fundit
3 Truke që përdorin kandidatët më të mirë për të fituar një vend pune
Kandidati që ka më shumë shanse për t’u punësuar është pikërisht ai që di se si të bjer...
Çfarë duhet të keni parasysh kur shihni një përshkrim pune
Përshkrimi i punës mbart më shumë informacion seç ju mund të mendoni.  Edhe pse titulli, dety...
3 këshilla – Si të silleni gjatë një eventi pune
Nëse jeni ndjerë të pasigurt dhe të ndrojtur për t’u përfshirë në diskutime me njerëz të...