November 3, 2023

3 këshilla – Si të silleni gjatë një eventi pune

Nëse jeni ndjerë të pasigurt dhe të ndrojtur për t’u përfshirë në diskutime me njerëz të panjohur në evente pune, ky artikull është për ju.

toparticle-banner

 

Nga Katia Hanxhari
__________________

 

Nëse jeni ndjerë të pasigurt dhe të ndrojtur për t’u përfshirë në diskutime me njerëz të panjohur në evente pune, ky artikull është për ju. 

Është e zakonshme që shumë individë të përjetojnë ndjesi të stresit dhe presionit në tentativa për të zgjeruar rrjetin e tyre profesional. Për të përmirësuar dhe perfeksionuar këtë aftësi të rëndësishme sociale, po ju prezantojmë 3 këshilla të thjeshta që mund t’ju ndihmojnë gjatë këtij procesi.

 

Gjeni ‘spirancën’ tuaj

Nëse shkoni vetëm në një event pune, është e kuptueshme të ndiheni pak të vetmuar ose të humbur, gati-gati si në mes të një deti, pa shpëtim. Ky është pikërisht momenti kur do të filloni kërkimin për spirancën tuaj. Shikoni rrotull jush nëse keni një fytyrë të njohur – mund të jetë një mik, një koleg, një person që keni takuar në një event të mëparshëm me të cilin mund të keni shkëmbyer disa fjalë apo qoftë edhe një person që ka mbërritur në event në të njëjtën kohë me ju. Të paturit e një personi të njohur në të tilla raste, ju ndihmon të ndiheni sado pak më të qetë dhe mund tju bëjë të ndiheni më të sigurt gjatë prezantimit me njerëz të rinj. Gjithashtu, spiranca juaj me shumë gjasa mund t’ju prezantojë me të njohurit e tij/saj, gjë e cila ju ndihmon në rrjetëzimin e mëtejshëm.

Gjithsesi, kini parasysh, vetëm se ky person për ju është një person që ju ofron siguri, s’do të thotë që duhet të qëndroni përgjatë gjithë eventit bashkë, sepse kjo shkon ndesh me gjithë qëllimin e rrjetëzimit. “Spiranca” juaj do jetë personi me të cilin do të doni të konsumoni një bisedë fillestare sa për të thyer akullin dhe më pas të vijoni me njohjet e reja.

 

S’keni pse takoheni me të gjithë të ftuarit

Shkëmbimi i kontakteve apo kartëvizitave me të gjithë pjesëmarrësit në event mund të duket tunduese, por kjo jo gjithmonë rekomandohet. Ju dëshironi të lini një përshtypje të mirë te njerëzit dhe të rrjetëzoheni me persona me të cilët keni vërtet interesa të përbashkëta. Fokusohuni tek cilësia e rrjetëzimit më shumë se sa tek sasia e tij.

Një zgjidhje e mirë për këtë mund të jetë krijimi paraprak i një liste emrash dhe kontaktesh me të cilët mendoni se do të bëni një bisedë të frytshme, gjë e cila mund t’iu ndihmojë të mos konfuzoheni gjatë eventit dhe të keni synime të qarta. Kjo listë patjetër që nuk ju premton se shkëmbimet do jenë pozitive dhe premtuese, kështu që asnjëherë mos e hiqni mundësinë e njohjeve përtej saj.

 

Mos u fokusoni vetëm te një person

Është e natyrshme që gjatë një eventi pune, të tërhiqeni nga disa individë të cilët mund të jenë figura të rëndësishme të fushës në të cilën ju jeni të punësuar ose të një fushe në të cilën thjesht keni interes. Për këtë arsye sugjerohet të tregoni kujdes për kohën që shpenzoni me këta persona pasi duke u përqendruar vetëm tek ata, mund të humbni mundësitë për të zhvilluar kontakte të reja.

 

Shpresojmë që ky artikull t’ju hyjë në punë gjatë eventit tuaj të rradhës.

November 3, 2023

Artikujt më të fundit
3 Strategji: Si të përgatitemi për tregun e punës
Ekziston një disbalancë e dukshme midis aftësive të kërkuara nga punëdhënësit dhe aftësive ...
3 Truke që përdorin kandidatët më të mirë për të fituar një vend pune
Kandidati që ka më shumë shanse për t’u punësuar është pikërisht ai që di se si të bjer...
Çfarë duhet të keni parasysh kur shihni një përshkrim pune
Përshkrimi i punës mbart më shumë informacion seç ju mund të mendoni.  Edhe pse titulli, dety...